Kaloi nje grua

Galeria e arteve “Vilson Kilica” Fier

15-31 mars 2023

Për pjesën më të madhe të njerëzve, era e studios së një piktori është e panjohur. Ajo rëndon nga era e vajit të linit, terpentinës, dylientit dhe vernikut. Një erë e fortë, e athët, kushtëzuar shpesh edhe nga dritare të mbyllura, pirgje leckash të pista, penela të tharë e të patharë dhe një dysheme gjithë njolla gri. Dhe aty mes tyre, një artist i lodhur e i stërmunduar, me tensionin mes shpatullave dhe sytë që kërkojnë të shquajnë në gjysmë-dritë. Në pamje të parë duket se aty nuk ka asgjë romantike. E megjithatë ky është imazhi më i zakonshëm i një piktori në studion e tij.
E sikur këtij imazhi t’i shtonim dhe atë të një modeli, në këtë rast të një gruaje? Atëherë do kishim atë imazhin klasik në mendjen kureshtare të gjithkujt. Aty ku është një Piktor, është dhe një Modele. Në ekspozitën e fundme të Gazmend Lekës, kemi pikërisht këtë imazh, por kësaj radhe, erës klasike të studios i është shtuar një flagrancë. Ajo, modelja është aty, përhumbur mes rrëmujës, tërësisht e zhve- shur me aromën e parfumit, ngatërruar në kufijtë e arsyes.
Në krijimtarinë e vet Leka ka qenë pothuaj gjithnjë vetëm; vetëm, me heronjtë dhe demonët e tij. Aty në studion e vet, qëndrimtar si pak të tjerë, nga mëngjesi energjik e i freskët deri në mbrëmjen melanko- like, ai “fliste” me gjarprin, frytin e ndaluar, eklipset dhe objektet gjeometrike. Edhe në këtë ekspozitë ai është po aty, ku papritur mes telajosh, penelash e bojërash, shfaqet lodrimtar imazhi i një gruaje.

Interieri nr. 1 / Dhoma e saj

E gjithë ekspozita ndërtohet nga imazhe interieri, jo shumë ndryshe nga formati klasik i krijimtarisë së Lekës. Herë në “Dhomën e saj” e herë në “Dhomën e tij”, modelja e tij është ashtu, e zhveshur, e kolme dhe intriguese.
Në pjesën më të madhe të tablove, ajo është në “Dhomën e saj”, ekskluzivisht vetëm, në intimitetin e vet, teksa rrotullohet si e zënë në çark në hapësirën e ngushtë të apartamentit. Aty, me sendet e veta, pranë krevatit, apo në poltronë, ajo vërtitet e shkujdesur në kërkim të shumëçkaje.

Herë të tjera, partnerja e saj më besnike duket se është vetë Drita. Përkufizim i dijes më të përkryer, me të ajo duket se gjeneron një dialog ndryshe, sa simbolik, aq dhe lozonjar. Ajo vërtitet flirtuese para saj edhe kur vjen natyrshëm nga dritarja, edhe nga brenda dhomës. Por marrëdhënien më transgresive, ajo e ngre me llambën elektrike. Një burim ndriçimi i hapësirave të ngushta, trupi i zhveshur i vajzës ndërton me të një marrëdhënie erotike gati të mbrapshtë. Ashtu si Danae me shiun e artë, ajo e vesh përkëdhelëse atë, sikur tenton të rindezë atmosferën e një sensualiteti të harruar.

Në versionin e dytë, ajo nuk është më vetëm. Aty bashkë me të, zgjaton figura e zhveshur e një mashkulli. Janë bashkë si çifti i herës së parë, por këtë radhë, zhveshur nga miti, mishrat lakuriqen në shtratin e një moteli. Ata janë aty, mes shisheve të verës, laptopëve dhe frutave të “mëkatit”, me lëngjet e zbrazura dhe erën e seksit.

Interieri nr. 2 / Dhoma e tij

Dhoma e tij nuk mund të ishte veçse Studioja e tij. Është po ajo skena qendrore ku ai prej dekadash dialogon me demonët e tij, e ku këtë radhë hyn e shkujdesur figura e një gruaje. E pazonja për të tronditur rutinën e tij, ajo vendoset herë kundradritë në hyrje të dhomës, herë përhumbur diku në mes.

Dhe ai është aty. Në cep të kompozimit, para telajos, i zhytur në procesin e krijimit. Të dy janë aty, sa pranë, aq dhe larg. Këmbejnë vendet pa u parë, gjithnjë tok..., por gjithnjë vetëm.
Në një version edhe më sugjestiv, studioja braktiset nga artisti, për t’u kthyer në kopshtin e lodrave të saj. Nga kjo mungesë-prezencë, ajo hidhet lozonjare me litar, ashtu e zhveshur, në një hapësirë të zbrazët dhe një ndriçim anatyral. Nën ritmin e lojës, aty transformohet gjithçka, nga dimensionet e objekteve, perspektivën e dhomës dhe temperaturën e shurdhët.

E kuqja e munguar

E kuqja është konsideruar gjithnjë si ngjyra e pasionit, energjisë, rrezikut, aq sa edhe e erosit dhe sensualitetit. Si e tillë, ajo ka shoqëruar imazhin në historinë e njerëzimit me gjithë forcën e vet, nga muret e Pompeit, tek Dhomat e Matisit. Edhe për Lekën ajo ishte një ngjyrë e rëndësishme. Gjithnjë prezente, ajo qëndronte e fshehur aty nën lëkurën e errët të pikturës, për të kulmuar në subjektet a personazhet e duhur.

Në këtë cikël, e kuqja klasike i ka lënë vendin grive të errta, okrave dhe të kafenjtave tokësore, ashtu si dhe linja klasike e femrës elegante, i ka lënë vendin modeleve të kolme, masive e gravitacionale. Për të, kjo ishte një zgjedhje e vetëdijshme, pasi përtej të gjithave, figura e femrës duhej të ishte e vërtetë, ashtu si venuset primitive, me strukturë dhe peshë specifike, larg fetishit erotik bashkëkohor dhe notave sensuale.

...

“Kaloi një grua” është ekspozita më e fundme e piktorit Gazmend Leka. Ajo vjen e përpiktë në vjeshtën e këtij viti, ashtu si para shtatë vjetësh kur ai nisi serinë e përvitshme të aktiviteteve personale. Pat nisur me “Symbolon” (2014), për t’u pasuar nga “Molla”, “Natura Morta”, “Taso”, “Lutja”, “Dhoma e Hapave të Humbur”, deri tek imazhi apokaliptik i “Noe”. Ishte aty simboli antik në petkun bashkëkohor dhe triptiku i fundmë ekzistencial i artistit.

“Kaloi një grua” është e fundit e këtij manifestimi figurativ. Pas notave tejet dramatike të cikleve të fun- dit, ajo duket se rikthen më në fund “paqen” në studion e Lekës. Ajo është një oaz qetësie, dedikuar profesionistit dhe modeles; artistit dhe habitatit të tij; aktit të krijimit, sa dhe momenteve të heshtjes midis... E ndërtuar nga 15 tablo në vaj e 13 vizatime, përtej të gjithave, ajo është konfirmimi i vazh- dimësisë së një rrugëtimi nisur dekada më parë dhe materializimit të njërit prej zërave më të vyer të pikturës shqiptare.

Kurator: Dr. Ermir Hoxha

Previous
Previous

Upcoming Exhibition